Teknik i mbrojtjes nga zjarri

Profesioni: Teknik i mbrojtjes nga zjarri

Profesioni: Teknik i mbrojtjes nga zjarri (zjarrfikësi me punë operative) është person profesional.

Profesioni ”Teknik i mbrojtjes nga zjarri”, do të zhvillojë tek vijuesit e trajnimit aftësi teknike dhe taktike mbi mbrojtjen nga zjarri si dhe shuarjen e tij, trajnimi fokusohet në veçanti me shtjellimin e procedurave teknike dhe taktike mbi planifikimin, organizimin, normat, rregullativat, procedurat e mbrojtjes dhe shuarjen e zjarrit. Nga modulet e ndryshme në sferën e menaxhimit të  emergjencave e me fokus të veçantë në mbrojtjen  nga zjarri, kandidatët fitojnë njohuri të duhura teorike dhe praktike mbi normat dhe rregullativat e mbrojtjes, shuarjes së zjarrit dhe ndërtojnë shkathtësi dhe aftësi, të cilat u mundësojnë që me sukses të konfrontohen me problemet e shuarjes së zjarrit në aspektin e menaxhimit të zjarreve dhe mbrojtjes nga zjarret.

Me të përfunduar trajnimin vijuesi do të jetë në gjendje:

  • Të manipulojë me të gjitha mjetet dhe pajisjet personale dhe të përbashkëta zjarrfikëse;
  • Të aplikojë teknika adekuate dhe ti adaptoj ato krahas kushteve dhe rrethanave të paraqitura në terren duke ia përshtatur me mjetet më adekuate;
  • Të nxitë potencialin e tij të brendshëm për kërkim të vazhdueshëm në drejtim të zgjidhjeve të reja, më efektive dhe më efiçiente dhe të konsiderojë të domosdoshme arsimimin e vazhdueshëm dhe avancimin profesional për punën që bën;
  • Të aplikojë taktika efektive dhe të domosdoshme krahas rrethanave dhe kushteve të paraqitura në terren duke i dhënë përparësi shpëtimit dhe mbrojtjes;
  • Të manifestojë guxim dhe iniciativë në marrjen e përgjegjësisë për mbrojtje dhe shpëtim në menaxhimin e  emergjencave të ndryshme;
  • Të tregojë vet-kontrollë në ushtrimin e veprimtarive të tij në kontekstin e pavarësisë në vendimmarrje;
  • Të organizojë drejtë procesin e të nxënit të tij dhe të shfaqë gatishmërinë dhe vullnetin për një të nxënë që zgjatë gjithë jetën;
  • Të respektojë parimet e punës në grup dhe të bashkëpunojë aktivisht me ekipet e tjera në arritjen e objektivave të pranuara;
  • Të bëjë vlerësime dhe vetë-vlerësime nisur nga kritere të drejta si bazë për të përmirësuar dhe çuar më tej arritjet;
  • Të hulumtojë vetveten dhe rrugët e mundshme të karrierës profesionale për të bërë zgjedhje të përshtatshme të veprimtarive profesionale të ardhshme.