Etika në vendimmarrjen e përditshme të ndërmarrjes – Përvoja e një ndërmarrëseje

Aktivitet Ekstrakurikular - Etika në Biznes

Në kuadër të lëndës “Etika në Biznes” në ambientet e Kolegjit Biznesi, u zhvillua një aktivitet ekstrakurikular me temën: “Etika në vendimmarrjen e përditshme të ndërmarrjes: Përvoja e një ndërmarrëseje”.

E ftuar speciale në këtë aktivitet ishte znj. Yllza Morina, ndërmarrëse dhe ish-studente (alumni) e këtij Kolegji, e cila ndau me studentët përvojat e saj praktike në drejtimin e biznesit dhe sfidat etike me të cilat është përballur në rrugëtimin e saj profesional.

Aktiviteti u moderua dhe u pasurua me komente akademike nga Prof. Assoc. Dr. Betim Spahiu, profesor i lëndës “Etika në Biznes”. Ai theksoi rëndësinë që ka edukimi etik në formimin e liderëve të ardhshëm dhe rolin që luajnë vendimmarrjet e përgjegjshme në ndërtimin e një kulture organizative të qëndrueshme dhe të drejtë.

Temat e diskutimit

  • Dilemat etike në menaxhimin e një biznesi të vogël dhe të mesëm
  • Balanca mes fitimit dhe përgjegjësisë shoqërore
  • Marrëdhëniet etike me punonjësit, partnerët dhe klientët
  • Si ndihmon edukimi universitar në përgatitjen për vendimmarrje me integritet

Studentët patën mundësinë të shtrojnë pyetje, të diskutojnë situata konkrete dhe të kuptojnë se si konceptet teorike të trajtuara në ligjërata zbatojnë në praktikë.

Ky aktivitet u mirëprit nga studentët dhe u vlerësua si një mundësi e shkëlqyer për të lidhur njohuritë akademike me realitetin e tregut të punës, si dhe për të nxitur reflektim mbi përgjegjësitë etike të një ndërmarrësi në një mjedis dinamik dhe sfidues.