KOLEGJI “ BIZNESI”, MBAN LIGJËRATA PËR MENAXHIMIN E SITUATAVE EMERGJENTE ME NXËNËS TË SHKOLLAVE TË MESME!
Kolegji “Biznesi”, në bashkëpunim me Brigadën e Zjarrfikësve të Prizrenit, të mërkurën ka filluar një fushatë sensibilizuese për nxënësit e shkollave të mesme të Prizrenit, duke zhvilluar ligjërata lidhur me menaxhimin e situatave emergjente.
Mustafë Kadriaj, profesor në këtë institucion akademik, tha se përmes këtyre ligjëratave synojnë të vetëdijësojnë gjeneratat e reja në të gjitha vendet e Kosovës për mënyrat se si të mbrohen nga fatkeqësitë natyrore dhe rreziqet e tjera. Me këtë rast, ai shtoi se po prezantojnë edhe programet studimore dhe mundësitë e ndryshme që ofron Kolegji “Biznesi”.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prizrenit, Fejzulla Berisha, foli për qëllimin e kësaj fushate, si dhe rreziqet që mund të shkaktohen nga keqpërdorimi i pajisjeve elektronike.
Nxënësit e shkollës së mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren, Genta Krasniqi, Eris Kurtaj, Ebra Xhaha dhe Ajsella Mujo, i vlerësuan këto ligjërata si shumë efektive dhe të dobishme, pasi sipas tyre përfituan shumë njohuri dhe metoda të reja për parandalimin dhe mbrojtjen nga situatat me rrezik të lartë.
Ndërkaq, ligjërata të ngjashme u zhvilluan edhe me nxënësit e gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren. Nxënësit Sara Piraj dhe Leart Hoxha treguan për njohuritë e fituara nga ky aktivitet.
Ndryshe, ligjërata të tilla për sigurinë dhe menaxhimin e emergjencave, nga ligjëruesit e Kolegjit “Biznesi”, në mesin e të cilëve ishte edhe eksperti i sigurisë, profesor Bislim Zyrapi, në bashkëpunim me brigadat e zjarrfikësve nga të gjitha qytetet e Kosovës, pritet të zhvillohen në të gjitha institucionet arsimore të vendit.