Kolegji Biznesi shqyrton rezultatet e Studimit të Tregut të Punës dhe Analizës së Nevojave për Programet Studimore

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për sigurimin dhe përmirësimin e cilësisë së programeve studimore, në Kolegjin Biznesi u mbajt takim për shqyrtimin e rezultateve të Studimit të Tregut të Punës dhe Analizës së Nevojave për Programet Studimore.

Gjatë takimit u prezantuan dhe u diskutuan gjetjet kryesore të studimit, i cili është realizuar me përfaqësues të kompanive private, institucioneve publike, ndërmarrjeve publike, organizatave joqeveritare, institucioneve financiare, institucioneve arsimore dhe organizatave të tjera nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Në fokus të diskutimit ishin kërkesa e tregut të punës për profilet profesionale që ndërlidhen me programet studimore të Kolegjit Biznesi, kompetencat që punëdhënësit kërkojnë nga të diplomuarit, rëndësia e përvojës praktike, zhvillimi i aftësive digjitale dhe përdorimi i teknologjive bashkëkohore, si dhe pritshmëritë e punëdhënësve për zhvillimet në tregun e punës gjatë viteve të ardhshme.

Në takim u diskutuan gjithashtu rekomandimet e dala nga studimi dhe mundësitë për përfshirjen e tyre në proceset e rishikimit dhe përmirësimit të programeve studimore. Në veçanti u theksua nevoja për forcimin e komponentës praktike, zhvillimin e kompetencave profesionale dhe të transferueshme, integrimin e teknologjive digjitale dhe inteligjencës artificiale, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me punëdhënësit.

Përgjegjësit e programeve studimore dhe stafi akademik do t'i shqyrtojnë gjetjet dhe rekomandimet relevante për programet përkatëse, me qëllim që ato të merren në konsideratë gjatë proceseve të rishikimit të kurrikulave, syllabuseve dhe aktiviteteve praktike.

Ky proces është pjesë e mekanizmave të brendshëm të sigurimit të cilësisë në Kolegjin Biznesi dhe synon që zhvillimi i programeve studimore të mbështetet në të dhëna, në konsultimin me palët e interesit dhe në nevojat aktuale dhe të ardhshme të tregut të punës.