Kolegji Biznesi përfundon Studimin e Tregut të Punës dhe Analizën e Nevojave për Programet Studimore

Kolegji Biznesi ka përfunduar Studimin e Tregut të Punës dhe Analizën e Nevojave për Programet Studimore, të realizuar me qëllim të identifikimit të nevojave aktuale dhe të ardhshme të tregut të punës, vlerësimit të kërkesës për profile profesionale dhe përafrimit të vazhdueshëm të programeve studimore me kërkesat e punëdhënësve.

Studimi është realizuar përmes një pyetësori elektronik në platformën Google Forms, i shpërndarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Në hulumtim morën pjesë gjithsej 120 respondentë, përfaqësues të kompanive private, institucioneve publike, ndërmarrjeve publike, organizatave joqeveritare, institucioneve financiare, institucioneve arsimore dhe organizatave të tjera.

Në kuadër të studimit janë analizuar kërkesa për profesionistë nga programet studimore të Kolegjit Biznesi, pritshmëritë për nevojat e punësimit gjatë viteve të ardhshme, profilet profesionale më të kërkuara, kompetencat që vlerësohen nga punëdhënësit, rëndësia e përvojës praktike dhe zhvillimet që pritet të ndikojnë në tregun e punës.

Rezultatet evidentojnë rëndësinë e zhvillimit të aftësive praktike dhe profesionale, komunikimit, punës në ekip, mendimit kritik, kompetencave digjitale dhe përdorimit të teknologjive bashkëkohore dhe inteligjencës artificiale. Studimi gjithashtu evidenton rëndësinë që punëdhënësit i kushtojnë përvojës praktike gjatë studimeve dhe rishikimit të vazhdueshëm të programeve studimore në raport me zhvillimet e tregut të punës.

Raporti përfundimtar përmban analizën e rezultateve, analizën e kryqëzuar të të dhënave, gjetjet kryesore, përfundimet dhe rekomandimet e dala nga studimi.

Rezultatet dhe rekomandimet e studimit do të përdoren në kuadër të proceseve të sigurimit të cilësisë, rishikimit dhe zhvillimit të programeve studimore, përditësimit të kurrikulave dhe syllabuseve, forcimit të komponentës praktike dhe zgjerimit të bashkëpunimit me punëdhënësit dhe palët e tjera të interesit.

Përmes realizimit të studimeve të tilla, Kolegji Biznesi synon të mbështesë vendimmarrjen institucionale në të dhëna dhe evidenca konkrete, duke forcuar lidhjen ndërmjet programeve studimore dhe nevojave aktuale dhe të ardhshme të tregut të punës.