Akreditimi i programit “Teknik i Mbrojtjes nga Zjarri”

Kolegji Biznesi ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në zhvillimin dhe zgjerimin e ofertës së tij profesionale, duke u akredituar dhe validuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) për ofrimin e kualifikimit profesional “Teknik i Mbrojtjes nga Zjarri”, në Nivelin III të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK).

 

Vendimi i Këshillit Drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve, i marrë më 30 korrik 2026, akrediton dhe validon Kolegjin Biznesi për një periudhë trevjeçare, nga 30.07.2026 deri më 29.07.2029, për këtë kualifikim të aprovuar në Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve.

 

Programi “Teknik i Mbrojtjes nga Zjarri” është klasifikuar si Kualifikim Kombëtar Profesional (D), me 39 kredi të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP). Në kuadër të këtij akreditimi, Kolegji Biznesi ka kapacitet të realizojë aftësimin profesional për gjashtë grupe brenda një viti kalendarik, me deri në 25 kandidatë për grup, duke mundësuar përgatitjen e deri në 150 kandidatëve në vit.